“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të Nexhdit. Ata u kthyen me një burrë të fisit benu hanife, që quhej Thumame ibn Uthali. E lidhën për shtylle të xhamisë, ndërsa Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “Ç'ke për të thënë, o Thumame?” - Vetëm mirësi, o Muhamed. Nëse më vret, vret njeri për të cilin ka kush hakmerret, e, nëse bën mirë, i bën mirë një falënderuesi. Nëse dëshiron pasuri, kërko sa të duash, - tha ai. Andaj, Pejgamberi ﷺ e la deri të nesërmen ashtu, pastaj shkoi dhe i tha: “Ç'ke për të thënë, o Thumame?” - Atë që ta kam thënë (më herët). Nëse bën mirë, i bën mirë një falënderuesi, - tha ai. Pejgamberi ﷺ sërish e la atë deri të nesërmen, pastaj sërish e pyeti: “Ç'ke për të thënë, o Thumame?” - Atë që ta kam thënë (më herët), - tha ai. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Zgjidheni Thumamen!” Kështu, ai shkoi te një kopsht hurmash afër xhamisë dhe u pastrua, pastaj hyri në xhami dhe tha: “Eshhedu en la ilahe il-lallah ve ene Muhameden Resulullah (Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut). O Muhamed, për Allahun, nuk kishte në tokë fytyrë më të urryer për mua se fytyra jote, por tani fytyra jote më është bërë fytyra më e dashur. Për Allahun, nuk kishte fe më të urryer për mua se feja jote, por tani feja jote më është bërë feja më e dashur. Për Allahun, nuk kishte vend më të urryer për mua se vendi yt, por tani vendi yt më është bërë vendi më i dashur. Kalorësit e tu më kapën teksa doja të bëja umrën. Çfarë më thua të bëj tani?” I Dërguari i Allahut ﷺ e përgëzoi atë dhe e urdhëroi që ta kryejë umrën. Kur shkoi në Mekë, dikush i tha atij: “Ke ndërruar fenë?” - Jo, për Allahun, por jam bërë musliman me Muhamedin, të Dërguarin e Allahut ﷺ. Për Allahun, nuk do t'ju vijë asnjë kokërr grurë nga Jemama, pa e lejuar Pejgamberi ﷺ, - tha Thumame.””