“Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, i biri i Ebu Burdes, e ky nga Ebu Burde, se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shokët e mi më dërguan tek i Dërguari i Allahut ﷺ që t'i kërkoj mjet udhëtimi për ta (për të shkuar në betejë), teksa po mobilizoheshin së bashku me të për ushtrinë e Betejës së Vështirësisë, që ishte Beteja e Tebukut. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, shokët e mi më dërguan të të njoftoj se po kërkojnë mjet udhëtimi (për të shkuar në betejë).” Ai më tha: “Për Allahun, nuk do t'ju jap asgjë për udhëtim.” Qëllova në momentet kur ai ishte i zemëruar, por nuk e dija, kështu që u ktheva i mërzitur nga ndalesa e Pejgamberit ﷺ dhe nga frika se mos është hidhëruar me mua. U ktheva te shokët e mi dhe u tregova çfarë tha Pejgamberi ﷺ. Nuk kaloi shumë kohë dhe e dëgjova Bilalin duke thirrur: “O Abdullah ibn Kajs! Kur iu përgjigja, ai më tha: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut ﷺ! Po të thërret.” Me të shkuar, Pejgamberi ﷺ më tha: “Merri këto dy deve të lidhura me njëra-tjetrën , - këto dy deve ishin prej gjashtë të tjerave që Pejgamberi ﷺ posa i kishte blerë prej Sadit, - dërgoji te shokët e tu dhe thuaju: “Allahu, - ose ka thënë: i Dërguari i Tij ﷺ, - po jua jep këto për udhëtim, andaj hipni në to.” Unë ua dërgova dhe u thashë: “Pejgamberi ﷺ po jua jep këto për udhëtim. Mirëpo, për Allahun, nuk do t'ju lë të largoheni, pa ardhur ndonjëri nga ju tek ata që i kanë dëgjuar fjalët e Pejgamberit ﷺ, që të bindeni se nuk po them diçka të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka thënë.” Ata më thanë: “Ti je i besueshëm te ne, por, megjithatë, do të bëjmë atë që dëshiron.” Kështu, Ebu Musai me një grup prej tyre shkoi te disa që i kishin dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, që herën e parë nuk u dha, e për së dyti u dha mjet udhëtimi. Ata u treguan atyre mu ashtu siç u kishte rrëfyer Ebu Musai.””