“Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Halife më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, besimtarët do të tubohen dhe do të thonë: “Sikur të ndërmjetësonim te Zoti ynë (për ta filluar gjykimin) .” Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit. Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, t'i ka mësuar emrat e çdo gjëje, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne, që të na largojë nga ky vend.” Ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend mëkatin e vet dhe turpërohet e u thotë: “Shkoni te Nuhu, sepse ai është i dërguari i parë që Allahu ua ka dërguar banorëve të Tokës.” Kështu, shkojnë tek ai, por ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend pyetjen e tij ndaj Zotit të vet për diçka që nuk kishte dituri dhe turpërohet e u thotë: “Shkoni te miku i Rrahmanit (Ibrahimi ﷺ) .” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Musai, një rob të cilit Allahu i ka folur dhe ia ka dhënë Tevratin.” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë.” Kështu, e përmend vrasjen e padrejtë që kishte bërë dhe turpërohet prej Zotit të vet e u thotë: “Shkoni tek Isai, robi dhe i dërguari i Allahut, njëherazi fjala dhe fryma e Allahut.” Por, edhe ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ, një rob që Allahu ia ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.” Kur vijnë tek unë, unë shkoj te Zoti im, kërkoj leje dhe më jepet leja (për të vazhduar tutje) . Me të parë Zotin tim, unë bie në sexhde. Ai më lë në atë pozitë aq sa të dëshirojë, pastaj më thotë: “Ngrije kokën dhe kërko (ç'të duash) , do të të përmbushet ; fol (ç'të duash) , do të dëgjohesh dhe ndërmjetëso (për kë të duash) , do të të pranohet.” Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj me diçka që Ai do të ma mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe, kur e shoh Zotin tim, veproj si më parë. Kur ndërmjetësoj, ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj sërish kthehem për së treti e për së katërti dhe them: “Nuk ka mbetur në Zjarr askush përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin dhe detyrimisht do të qëndrojnë aty përjetësisht.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Fjala “... përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin...” aludon në ajetin: “... (do të qëndrojnë) përgjithmonë në të...” (Bekare, 162)”