“Muhamed ibn Ebu Bekri më ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njeriu mund të bëjë tavaf rreth Qabesë përderisa nuk është me ihram, pastaj hyn në ihram për haxh. Kur të shkojë në Arafat, ai që ka mundësi, duhet të therë një kurban: deve, lopë ose dele, cilëndo që mundet dhe dëshiron. Përndryshe, nëse nuk ka mundësi, atëherë agjëron tri ditë në haxh, para ditës së Arafatit. Nëse dita e fundit, prej këtyre tri ditëve agjërim, bie në ditën e Arafatit, nuk ka mëkat. Pastaj shkon në Arafat dhe qëndron prej ikindisë derisa të bjerë nata dhe largohet nga aty së bashku me të tjerët. Me t'u larguar nga aty, shkojnë në Muzdelife, ku e kalojnë natën. Pastaj e përmendin Allahun dhe i shpeshtojnë tekbiret (thëniet: Allahu ekber) dhe tehlilet (thëniet: la ilahe il-lallah) para se të lindë dielli. Pastaj largohen prej aty siç largoheshin njerëzit (në kohën e Pejgamberit ﷺ). Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Pastaj zdirgjuni andej nga zdirgjen njerëzit, kërkoni Allahut falje, se Allahu fal e është Mëshirues. ” (Bekare, 199) Kjo, derisa t'i gjuajnë xhemrat (guralecët).””