“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi nga xhaxhai i tij Ebu Suhejl ibn Maliku, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë flokëshprishur, banor i Nexhdit, shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Jehona e zërit të tij dëgjohej, por s'kuptohej çfarë thoshte, derisa u afrua dhe kuptuam se po pyeste për Islamin. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: - “Ke obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës.” - A kam obligim diçka tjetër përveç kësaj? - tha ai. - “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare”, - i tha Pejgamberi ﷺ. - “Ke obligim ta agjërosh Ramazanin” , - tha pastaj Pejgamberi ﷺ. - A kam diçka tjetër përveç kësaj? - e pyeti burri në fjalë. - “Jo, përveç nëse do të shtosh agjërim vullnetar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. Pastaj Pejgamberi ﷺ ia përmendi zekatin. Ai ia ktheu: - A kam diçka tjetër përveç kësaj? - “Jo, përveç nëse do të japësh vullnetarisht”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Në fund, ky njeri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj kurrgjë nga kjo.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend.””