“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kur zbriti ajeti: “Nëse mes jush gjenden njëzet të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind (mohues)...”, (Enfal, 65) atyre iu bë obligim që një person të mos ikë nga përballja me dhjetë armiq. Sufjani (transmetuesi i hadithit) disa herë theksoi: “Pra, njëzet persona të mos zmbrapsen nga dyqind armiq. Pastaj zbriti: “Tani, Allahu jua ka lehtësuar, ngaqë Ai e di se keni dobësi. Kështu, nëse ka prej jush njëqind të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind (mohues) dhe, nëse nga ju janë një mijë (të qëndrueshëm), me vullnetin e Allahut, ata do të mundin dy mijë (mohues). Allahu është me të qëndrueshmit.” (Enfal, 66) Rrjedhimisht, ua obligoi që njëqind persona të mos zmbrapsen në rast se përballen me dyqind armiq. Njëherë, Sufjani pati shtuar: “Për ajetin: “O i Dërguar! Jepu zemër e nxiti besimtarët për luftë! Nëse mes jush gjenden njëzet të qëndrueshëm...”, (Enfal, 65) Ibn Shubrume ka thënë: “Mendoj se kjo vlen edhe për ata që urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë të keqen.””