“Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hajan Tejmiu, e ky nga Ebu Zura ibn Amër ibn Xheriri se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pak mish dhe i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. Ai e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse? Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi.” Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty. A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë”, - transmetuesi, Ebu Hajani, i përmend këto tri raste, pastaj vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umetin tim, o Zot! Umetin tim, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra. ””