“Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku transmeton nga Zejd ibn Eslemi, se babai i tij Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej rrugëtimeve, i Dërguari i Allahut ﷺ po udhëtonte natën së bashku me Omer ibn Hatabin. Omeri e pyeti diçka, mirëpo i Dërguari i Allahut ﷺ nuk iu përgjigj. E pyeti sërish, por ai nuk iu përgjigj. E pyeti për së treti, por ai sërish nuk iu përgjigj. Atëherë Omer ibn Hatabi tha me vete: “Mjerë nëna për ty, o Omer! Këmbëngule ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ tri herë, e ai nuk t'u përgjigj.” Omeri thotë: “Prandaj e ngava devenë derisa dola para muslimanëve dhe kisha frikë mos zbriste ajet Kurani për mua (si qortim).” Pas pak dëgjova një lajmëtar duke më thirrur, e në atë rast thashë me vete: “Tani vërtet po frikësohem mos ka zbritur ndonjë ajet Kurani për mua!” Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i dhashë selam dhe ai më tha: “Sonte më ka zbritur një sure, e cila është më e dashur tek unë se çdo gjë mbi të cilën rrezaton dielli.” Pastaj lexoi: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë.” (Fet'h, 1)”