“Abde ibn Abdullahu na ka thënë: Këtë na ka rrëfyer Jahja ibn Ademi nga Israili, e ky nga Mensuri. Po ashtu, Israili e transmeton këtë nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame, e ky nga Abdullahu. Ndërkaq, transmetimin (e Jahja ibn Ademit) e fuqizon Esved ibn Amiri nga Israili. Hafsi, Ebu Muaviu dhe Sulejman ibn Karmi e transmetojnë nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi. Jahja ibn Hamadi ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Avane nga Mugire, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame, e ky nga Abdullahu. Ibn Is'haku e transmeton nga Abdurrahman ibn Esvedi, e ky nga i ati, e ky nga Abdullahu. Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa ishim me Pejgamberin ﷺ në një shpellë (në Mina), iu shpall surja Murselat, të cilën e mësuam nga goja e tij, të freskët (sapo i kishte zbritur). Papritmas, na doli një gjarpër. I Dërguari i Allahut ﷺ thirri: “Kujdes! Vriteni!” Ne iu vërsulëm për ta mbytur, por ai iku. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “I shpëtoi së keqes suaj ashtu siç i shpëtuat ju së keqes së tij.””