“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. Seid ibn Mervani më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdulaziz ibn Ebu Rizmai, e këtij i ka rrëfyer Ebu Salih Selmevejhu, e këtij i ka treguar Abdullahu nga Junus ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Fillimisht, të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të mira në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj, iu bë e dashur vetmia. Vetmohej në shpellën Hira, ku bënte adhurim me net të tëra, derisa rikthehej te familja e vet. Furnizohej me ushqimet e nevojshme dhe shkonte e vetmohej. Pastaj kthehej te Hadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi, derisa papritmas i erdhi e vërteta, ndërkohë që ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!” - “Nuk di të lexoj”, - ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi, saqë mezi merrja frymë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Sërish më kapi dhe më shtrëngoi, saqë pothuajse m'u ndërpre frymëmarrja, pastaj më lëshoi dhe më tha: “ Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Më kapi për së treti e më shtrëngoi, saqë pothuajse m'u ndërpre frymëmarrja, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo se Zoti yt është më Bujari. Është Ai që ua mësoi pendën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alak, 1-5) Duke u dridhur i tëri, u kthye me këto ajete dhe hyri te Hadixhja e i tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” Sakaq, ajo e mbuloi derisa iu largua frika. Pastaj, tha: “Oj Hadixhe, çfarë po më ndodh? U frikësova për veten time!” Pastaj vazhdoi t'ia tregojë ngjarjen, e në atë rast Hadixhja i tha: “Assesi! Përgëzohu, sepse betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty. Betohem në Allahun se ti i mban lidhjet farefisnore, e thua të vërtetën, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon dhe ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi.” Pas kësaj, Hadixhja e shoqëroi për te Veraka ibn Neufeli, djali i axhës së saj, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame dhe njihte mirë shkrimin e arabishtes. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në arabisht, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i thyer në moshë dhe i verbër. Hadixhja i tha: - O kushëri, dëgjoje nipin tënd. - Fol, o nip, çfarë ke parë? - i tha Veraka Pejgamberit ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me të dëgjuar këtë, i tha: “Atë që ke parë, është meleku që Allahu e kishte dërguar më parë te Musai ﷺ. Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë...” dhe vazhdoi me disa fjalë të tjera. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: - “Vërtet do të më dëbojnë?!” - Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi, - ia ktheu Veraka. Por, nuk kaloi shumë kohë e Veraka vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë, saqë Pejgamberi ﷺ nisi të pikëllohej.””