“Musa na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Mugire, e ky nga Muxhahidi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) tregon: “Babai më martoi me një grua të fisme dhe, herë pas here, e pyeste nusen e tij për burrin e saj, e cila i thoshte: “Sa burrë i mirë që është! As na e ka shkelur shtratin, as na është afruar, që kur kemi ardhur.” Kur kjo gjendje zgjati, Amri ia përmendi Pejgamberit ﷺ, i cili i tha: “Më tako me të!” Abdullahu thotë: “Kur u takova me të, më tha: “Si agjëron ti?” I thashë: “Çdo ditë.” Më tha: “E për sa kohë e mbaron leximin e Kuranit?” I thashë: “Çdo natë.” Më tha: “Agjëro tri ditë në muaj dhe lexoje Kuranin një herë në muaj!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq.” Ai më tha: “E po, agjëro tri ditë në javë!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq. Më tha: “Ha dy ditë e agjëro një ditë!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq.” Ai tha: “Atëherë, praktikoje agjërimin më të mirë, agjërimin e Davudit ﷺ: një ditë agjërim, një ditë ngrënie, dhe lexoje (Kuranin) një herë në shtatë net!” Abdullahu thotë: “Ah, sikur ta kisha pranuar lehtësimin që ma pati bërë i Dërguari i Allahut ﷺ, sepse tash jam plakur e jam dobësuar!” (Në pleqëri) gjatë ditës, Abdullahu i lexonte ndonjërit prej familjes së tij një të shtatën e Kuranit, në mënyrë që leximin e natës ta kishte më të lehtë. Ndërkaq, kur kishte nevojë të forcohej, hante disa ditë me radhë, pastaj i numëronte dhe e zëvendësonte agjërimin me po aq ditë të tjera, duke urryer të linte ndonjë vepër që e bënte sa ishte gjallë Pejgamberi ﷺ. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Disa transmetues kanë thënë se (fjala është) për tri ditë, e disa të tjerë për pesë, por shumica kanë thënë për shtatë.””