“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Ebu Thevri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjithmonë doja ta pyesja Omer ibn Hatabin rreth dy grave të Pejgamberit ﷺ, të cilat Allahu i ka përmendur në ajetin: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...” (Tahrim, 4) Kështu, ai e bëri haxhin, e edhe unë shkova në haxh me të dhe, gjatë rrugës, ai u ndal diku, e unë i shkova pas me një kovë ujë. Ai e kreu nevojën dhe, kur u kthye, i hodha ujë në duar, e ai mori abdes. I thashë: “O prijës i besimtarëve, cilat janë dy gratë e Pejgamberit ﷺ, të cilave Allahu iu është drejtuar në Kuran duke u thënë: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...”? (Tahrim, 4) Ai tha: “Çudi me ty, o Ibn Abas! Ato janë Aishja dhe Hafsa.” Pastaj filloi ta tregojë tërë hadithin dhe tha: “Unë dhe një fqinj imi ensar banonim në territorin e fisit të Umeje ibn Zejdit, territor ky në periferi të Medinës. Ndërroheshim me njëri-tjetrin për të qëndruar me Pejgamberin ﷺ: një ditë shkonte ai, ditën tjetër unë. Kur shkoja, ia sillja atij ndodhitë e asaj dite, nga shpallja a gjërat e tjera. Njëjtë vepronte edhe ai. Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por, kur vajtëm tek ensarët, i gjetëm gratë t'i mbizotëronin burrat. Kështu, gratë tona filluan ta trashëgojnë etikën e grave të ensarëve. Një ditë, ia ngrita zërin gruas, ndërsa ajo ma ktheu fjalën. Ia tërhoqa vërejtjen që të mos ma kthejë fjalën, por ajo më tha: “Vallë, pse po ma tërheq vërejtjen të ta kthej fjalën? Betohem në Allahun se edhe gratë e Pejgamberit ﷺ ia kthejnë fjalën atij. Madje, ka raste kur ndonjëra i hidhërohet tërë ditën, deri në mbrëmje.” Kjo gjë më frikësoi dhe thashë: “Ka humbur shumë ajo që ka vepruar kësisoj.” Pastaj u vesha dhe shkova te Hafsa e i thashë: - Oj Hafsë, vallë, a ndodh që ndonjëra prej jush të hidhërohet me Pejgamberin ﷺ tërë ditën, deri në mbrëmje? - Po, - tha ajo. - Ke dështuar dhe je shkatërruar! A ndihesh e sigurt se Allahu nuk do të zemërohet me ty, për shkak të zemërimit të të Dërguarit të Tij ﷺ, dhe me këtë të shkatërrohesh? Mos e tepro me Pejgamberin ﷺ, as mos ia kthe fjalën, as mos u hidhëro me të! Nëse të nevojitet diçka, ma kërko mua. Mos u mashtro me shemrën tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur te Pejgamberi ﷺ sesa ti, - tha Omeri, duke aluduar në Aishen. Omeri vazhdoi: “Atëkohë flitej se fisi gasan po përgatitej me kuaj për të na sulmuar. Shoku im ensar shkoi ditën kur e kishte rendin dhe u kthye në mbrëmje duke trokitur fuqishëm derën e shtëpisë sime dhe duke pyetur: - A është aty (Omeri)? Unë u frikova, andaj dola me shpejtësi, e ai më tha: - Ka ndodhur diçka e madhe. - Çka ashtu? - i thashë: - Vallë, mos ka ardhur fisi gasan? - Jo, diçka më e madhe dhe më e trishtueshme. Pejgamberi ﷺ i ka shkurorëzuar gratë e veta. Ubejd ibn Hunejni ka thënë: “Ibn Abasi e ka dëgjuar Omerin se ka thënë (shoku im më tha): “Pejgamberi ﷺ është larguar nga gratë e tij.” - Ah, mjerë Hafsa! Paska humbur dhe qenka shkatërruar! Kësaj i frikohesha se do të ndodhte, - thashë unë. Më pas u vesha mirë dhe shkova për ta falur namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ, i cili, pas namazit, hyri në një qilar ë, ku rrinte gjatë kohës sa i kishte braktisur gratë e veta. Shkova te Hafsa, të cilën e gjeta duke qarë, dhe i thashë: - Pse po qan? A nuk ta kam tërhequr vërejtjen? A ju shkurorëzoi Pejgamberi ﷺ? - Nuk e di, ai është izoluar në qilar , - tha ajo. Kështu, shkova te minberi, ku pashë ca burra rreth tij, madje disa prej tyre qanin. Qëndrova pak me ta, por nuk po ndihesha rehat, andaj shkova te qilari ku ndodhej Pejgamberi ﷺ dhe i thashë një shërbëtori zezak: “Kërkoji leje Pejgamberit ﷺ për Omerin.” Ai hyri dhe foli me Pejgamberin ﷺ, pastaj doli dhe tha: “I tregova për ty, por nuk tha gjë.” Andaj u largova dhe shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi. Por, sërish nuk ndihesha i qetë, andaj shkova dhe i thashë shërbëtorit: “Kërkoji leje për Omerin.” Ai hyri, pastaj doli dhe tha: “I tregova për ty, por nuk tha gjë.” Andaj u largova dhe shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi. Por, sërish nuk po ndihesha i qetë, andaj shkova dhe i thashë shërbëtorit: “Kërkoji leje për Omerin.” Ai hyri, pastaj doli dhe tha: “I tregova për ty, por nuk tha gjë.” Kur u nisa të largohem, shërbëtori më thirri dhe më tha: “Pejgamberi ﷺ të dha leje!” Hyra tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e gjeta të shtrirë mbi një hasër, pa shilte, ndërsa shenjat e hasrës i kishin lënë gjurmë në trup. Kokën e kishte mbështetur në një jastëk lëkure të mbushur me fije palme . I dhashë selam dhe, duke qenë në këmbë, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, i ke shkurorëzuar gratë?” Ai më shikoi dhe më tha: “Jo.” Atëherë unë thashë: “Allahu ekber!” Pastaj, teksa isha në këmbë, për t'ia zbutur zemrën, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të më kishe parë mua! Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por kur erdhëm në Medinë, ky popull mbizotërohej nga gratë”, - ndërsa Pejgamberi ﷺ buzëqeshi. Pastaj vazhdova: “Shkova te Hafsa dhe i thashë: “Mos u mashtro me shemrën tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur te Pejgamberi ﷺ se ti”, - aludonte në Aishen, - dhe Pejgamberi ﷺ buzëqeshi sërish. Kur e pashë të buzëqeshë, u ula dhe fillova të shikoj shtëpinë e tij. Betohem në Allahun se nuk kishte çfarë të shikoje, përveçse tri postiqesh prej lëkure. Teksa ishte shtrirë, i thashë: “Lute Allahun t'ia lehtësojë rrizkun umetit tënd, sepse persianëve dhe romakëve u është lehtësuar, si dhe u është dhënë dynjaja, ndërkohë ata nuk e adhurojnë Allahun. Pejgamberi ﷺ u ul, pasi ishte i mbështetur, dhe tha: “Dyshon në diçka, o Ibn Hatab? Ata janë popull që u janë përshpejtuar mirësitë në jetën e dynjasë.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, kërkoji falje Allahut për mua.” Pra, Pejgamberi ﷺ i braktisi gratë, njëzet e nëntë net, për shkak të asaj bisedës që Hafsa ia tregoi Aishes fshehurazi, dhe kishte thënë: “Nuk do të shkoj tek ato një muaj rresht” , për shkak të hidhërimit që kishte ndaj tyre, sepse Allahu e kishte qortuar për këtë gjë. Kur kaluan njëzet e nëntë net, shkoi tek Aishja dhe filloi prej saj. Aishja i tha: “O i Dërguari i Allahut, ti je betuar se nuk do të vish te ne një muaj, ndërsa tani kanë kaluar vetëm njëzet e nëntë net, të cilat po i numëroj një nga një!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Muaji ndodh të jetë njëzet e nëntë net.” - Ai muaj qe njëzet e nëntë net. Aishja tha: “Atëherë zbriti ajeti i zgjedhjes dhe kështu filloi prej meje, e unë isha gruaja e parë që e zgjodha atë (e jo dynjanë). Pastaj ai ua dha mundësinë të gjitha grave të tij që të zgjedhin (atë ose dynjanë), e edhe ato u përgjigjën sikurse Aishja.””