“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u bë eklipsi diellor, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin (e eklipsit), e bashkë me të edhe sahabët. Qëndroi gjatë në këmbë, përafërsisht aq sa të lexohet surja Bekare, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë. U ngrit dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë, ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë U ngrit sërish në këmbë dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit. U ngrit sërish dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e fundit. Pastaj u ngrit, e më pas ra në sexhde. Me ta kryer, Dielli ishte shfaqur tërësisht, e në atë rast tha: - “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes a lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, përmendeni Allahun.” - O i Dërguari i Allahut! Të pamë duke marrë diçka sa qe në namaz, pastaj të pamë duke u tërhequr mbrapa (çfarë ndodhi)? - e pyetën sahabët. - “E pashë Xhenetin dhe u zgjata të kap një kalavesh (rrushi) . Sikur ta merrja, do të kishit ngrënë prej tij derisa të ekzistojë kjo botë. E pashë edhe Zjarrin. Nuk kam parë ndonjëherë pamje më të tmerrshme sesa sot. Po ashtu, pashë se banorët më të shumtë të tij (Zjarrit) janë gratë”, - u tha Pejgamberi ﷺ. - Për ç'arsye, o i Dërguari i Allahut? - e pyetën. - “Për shkak të mohimit të tyre”, - u tha. - E mohojnë Allahun?! - e pyetën shokët e tij. - “E mohojnë mirësjelljen ndaj burrit dhe e mohojnë mirësinë. Edhe nëse je vazhdimisht i mirë me të, po qe se vëren diçka jo të mirë te ti, thotë: “Kurrë nuk kam parë asnjë të mirë prej teje”, - u tregoi Pejgamberi ﷺ.””