“Is'hak ibn Mensuri më ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Shibli nga Ibn Ebu Nexhihu se Muxhahidi, për ajetin: “Gratë të cilave iu vdes burri...”, (Bekare, 234) ka thënë: “Pritja, përmendur në këtë ajet, ka qenë e detyrueshme të bëhet në shtëpinë e burrit. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Ata prej jush, të cilëve iu është afruar vdekja dhe kanë gra për të lënë pas, duhet t'u lënë atyre në testament mjetet për të jetuar një vit, pa i detyruar të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre sipas rregullave...” (Bekare, 240) Allahu ia ka plotësuar asaj një vit të tërë, duke ia lënë shtatë muaj e njëzet net si e drejtë e testamentit. Nëse ajo dëshiron, qëndron duke shfrytëzuar të drejtën e testamentit, por edhe mund të dalë me vetëdëshirë. Në këtë aludon ajeti: “... pa i detyruar të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre...” (Bekare, 240) Ndërkaq, koha bazë e pritjes (katër muaj e dhjetë ditë) është e detyruar për të. Ibn Abasi ka thënë: “Ky ajet e ka shfuqizuar normën e kalimit të kohës së pritjes në shtëpinë e burrit të saj duke i dhënë të drejtën që atë kohë ta kalojë ku të dëshirojë. Në këtë aludon pjesa e ajetit: “... pa i detyruar të dalin nga shtëpia...” (Bekare, 240) Atai ka thënë: “Pra, nëse ajo dëshiron, kohën e pritjes mund ta kalojë në shtëpinë e burrit të vet duke shfrytëzuar të drejtën e saj në testamentin e lënë, përndryshe mund të dalë nëse dëshiron, duke u argumentuar me ajetin: “... Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre...” (Bekare, 240) Pastaj erdhi urdhri i trashëgimisë, i cili e shfuqizoi obligueshmërinë e vendbanimit, andaj ajo mund të kalojë kohën e idetit ku të dojë, pa pasur burri detyrim t'ia sigurojë vendbanimin asaj.”