“Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi i cili thotë: Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimi ma ka përmendur një pjesë të këtij hadithi, pastaj u largova, u futa tek Malik ibn Evsi dhe e pyeta, e në atë rast Malik ibn Evsi tregon: “U nisa për të shkuar tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kur hyra tek ai, portieri i vet, Jerfai, vajti e i tha: “A po i lejon Othmanin, Abdurrahmanin, Zubejrin dhe Sadin të hyjnë brenda?” Ai tha: “Po.” Pastaj ky i lejoi të futen. Ata hynë brenda duke dhënë selam dhe u ulën. Jerfai qëndroi një kohë ashtu pastaj i tha Omerit: “A po i lejon Aliun dhe Abasin të futen?” Ai tha: “Po”, - dhe ky i lejoi. Kur u futën brenda, ata dy dhanë selam dhe u ulën. Abasi tha: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes meje dhe këtij! Sakaq, ata që ishin të pranishëm, Othmani me shokët e tij, thanë: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes tyre dhe rehatoji!” Omeri tha: “Qetësohuni pak! Po ju përbej në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka” , ka pasur për qëllim vetveten...?!” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë. Atëherë Omeri u kthye nga Aliu e Abasi dhe u tha: “Po ju përbej në Allahun të më tregoni, a e keni ditur se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu?” Ata thanë: “Ashtu ka thënë.” Pastaj Omeri vazhdoi: “Atëherë unë do t'ju tregoj për këtë çështje: Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Tij ﷺ me diçka prej kësaj plaçke të cilën s'i ka dhënë askujt përveç tij. Allahu ka thënë: “E, atë që Allahu ia ka dhuruar (kthyer prej ngatërrestarëve) të Dërguarit të Vet, e që ju nuk e keni marrë si plaçkë me sulmim as të kuajve e as të deveve, por që Allahu u jep pushtet pejgamberëve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i pushtetshëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) - Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Betohem në Allahun se ai nuk ka marrë diçka nga hisja juaj e as nuk e ka mbajtur vetëm për vete. Ai ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, pastaj, pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. I Dërguari i Allahut ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë...?” Ata thanë: “Po.” Pastaj u kthye e i tha Aliut dhe Abasit: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë...?” Ata thanë: “Po.” Pastaj Omeri vazhdoi: “E, kur Allahu ia mori shpirtin Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekri tha: “Unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj e mori atë pasuri dhe veproi me të ashtu siç ka vepruar me të i Dërguari i Allahut ﷺ. “Ndërkaq, ju të dy, - dhe u kthye nga Aliu e Abasi, - po pretendoni se Ebu Bekri ka bërë kështu e kështu...? Allahu e di mirë se ai ka qenë i sinqertë, bamirës e i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj, Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, ndërsa unë u bëra pasues i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i Ebu Bekrit, andaj e mora atë pasuri për dy vjet të hilafetit tim dhe punova me të ashtu siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri. Pastaj, më erdhët ju të dy, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Erdhe (o Abas) të më kërkosh hisen tënde nga djali i vëllait tënd (Muhamedi ﷺ), ndërsa ky (Aliu) erdhi të më kërkojë hisen e gruas së tij nga babai i saj (Muhamedi ﷺ), e kur unë ju thashë: “Nëse dëshironi, po jua jap juve, por me kusht që të më premtoni në Allahun se do të punoni me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri dhe siç kam punuar unë që kur e kam marrë përsipër atë, përndryshe mos e kërkoni fare, ju thatë: “Na jep neve atë me ato kushte e unë jua dhashë.” (Pastaj, duke u kthyer nga grupi, tha:) “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a ua kam dhënë atyre dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Pastaj u kthye prapë nga Aliu e Abasi dhe u tha: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a jua kam dhënë juve dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Atëherë ai tha: “A mos po kërkoni nga unë të gjykoj diçka tjetër? Betohem në Allahun, me lejen e të Cilit qëndrojnë Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe, derisa të bëhet Kiameti. Nëse nuk arrini të përballoni kushtin (që keni pranuar), kthemani mua, unë do ta përballoj.””