“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmes: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ të fliste me zë të dobët. Mund ta vëreje se ishte i uritur, andaj a ke ndonjë ushqim?” (Enesi thotë:) “Ajo nxori disa kuleç prej elbi, nxori një pelerinë dhe mbështolli bukën me një pjesë të saj, pastaj ma fshehu atë nën rrobën time e më vuri sipër një pjesë të saj dhe kështu më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Shkova në xhami, ku e gjeta të Dërguarin e Allahut ﷺ me disa persona. U futa midis tyre dhe Pejgamberi ﷺ më tha: - “A të ka dërguar Ebu Talhai?” - Po, - i thashë. - “Për ushqim?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Po, - i thashë. - “Ngrihuni të shkojmë!” - u tha atyre që ishin përreth tij dhe u nisën, ndërsa unë ecja para tyre derisa arrita tek Ebu Talhai. Ebu Talhai tha: “Oj Umu Sulejme! Ka ardhur Pejgamberi ﷺ me njerëzit, ndërkohë ne s'kemi me se t'i ushqejmë.” Ajo tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri.” Pastaj Ebu Talhai doli ta takojë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të dy së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Urdhëro, oj Umu Sulejme, dhe na sill çfarë ke!” Ajo solli po të njëjtën bukë. Ai ﷺ urdhëroi që të ndahej në copa të vogla, pastaj Umu Sulejme shkriu pak salcë mbi to derisa u zbut. Më pas, i Dërguari i Allahut ﷺ foli diçka sipër ushqimit, aq sa deshi Allahu që të fliste, dhe tha: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë brenda!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. I Dërguari i Allahut ﷺ tha prapë: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. I Dërguari i Allahut ﷺ tha prapë: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. (Dhe kështu vazhdoi) derisa iu dha leje edhe dhjetëshes së fundit, e në atë rast u ngopën që të gjithë. Ata ishin tetëdhjetë burra.””