“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi nga Ebu Hazimi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja Selemiu se babai i tij Ebu Katade Selemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, teksa isha duke ndenjur me disa shokë të Pejgamberit ﷺ, në një vend përgjatë rrugës për Mekë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ndalur diku para nesh dhe të gjithë ishin në ihram, përveç meje, shoqëruesit e mi panë një zebër. Unë isha i zënë duke rregulluar një sandale timen, por nuk më treguan (për zebrën), edhe pse, në vete, ata donin që unë ta shihja. Papritmas, kur shikova tutje, e pashë zebrën. U ngrita, e shalova kalin dhe i hipa, por harrova ta merrja kamxhikun dhe shtizën, andaj u thashë: - Ma afroni kamxhikun dhe shtizën! - Jo, për Allahun, nuk do të të ndihmojmë asgjë në lidhje me të! - më thanë ata. Kështu, u nevrikosa dhe zbrita për t'i marrë vetë. Sërish i hipa kalit dhe e ndoqa zebrën derisa e qëllova me shtizë . Zebrën e vrarë ua çova shokëve, të cilët (pasi e përgatitën) filluan të hanë. Por, më pas, meqë ishin në ihram, filluan të dyshojnë në ngrënien e mishit të saj. Ndërkohë, unë kisha fshehur një copë mishi nga këmba e përparme e zebrës dhe kështu u nisëm derisa e arritëm Pejgamberin ﷺ, pastaj e pyetëm rreth ngrënies së zebrës. Ai tha: “Ju ka mbetur diçka prej mishit të saj?” Unë pohova dhe ia dhashë pjesën që e kisha ruajtur, të cilën Pejgamberi ﷺ e hëngri derisa arriti tek ashti, ndërkohë ishte në ihram.” Xhaferi ka thënë: Më ka treguar Zejd ibn Eslemi nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Katade ngjashëm me këtë transmetim.”