“Ebu Asimi transmeton nga Hajve ibn Shurejhu, e këtij i ka treguar Rebia ibn Jezid Dimeshkiu, e këtij i ka treguar Ebu Idris Havlaniu se Ebu Thaleb Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ne jetojmë në tokën e ithtarëve të Librit, andaj a na lejohet të hamë në enët e tyre? Gjithashtu, në tokën e gjuetisë në të cilën është gjuajtur me harkun tim dhe me qenin tim të stërvitur, por edhe me qenin tim të pastërvitur?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që përmende, se ndodhesh në tokën e ithtarëve të Librit, mos hani nga enët e tyre, përveç nëse nuk keni zgjidhje tjetër. E, nëse nuk keni zgjidhje tjetër, atëherë pastroni ato dhe hani në to. Ndërkaq, sa i përket asaj që përmende, se ndodhesh në tokën e gjuetisë, atë që e ke gjuajtur me harkun tënd, thuaj “bismilah" dhe haje. Atë që e ke gjuajtur përmes qenit tënd të stërvitur, thuaj “bismilah" dhe haje, kurse atë që e ke gjuajtur përmes qenit tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.””