“Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejub ibn Ebu Temime, e ky nga Kasimi se Zehdemi tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që mes nesh dhe kësaj lagjeje të fisit xherm kishte vëllazëri, sollën ushqim, ndër të tjera, edhe mish pule. Aty ishte edhe një burrë i racës së kuqe 1 , i cili nuk iu afrua fare ushqimit.” Ebu Musai i tha: “Afrohu, sepse e kam parë Pejgamberin ﷺ duke e ngrënë atë!” Ai tha: “Por, unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.” Atëherë Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj diçka (për betimin tënd). Njëherë, patëm shkuar te Pejgamberi ﷺ bashkë me një grup të fisit eshari, por kisha pasë qëlluar aty mu në kohën kur ai ishte i zemëruar gjatë ndarjes së disa deveve për të pranishmit, nga devetë e dhuruara për lëmoshë. Kështu, i kërkuam të na marrë me vete (për në Luftën e Tebukut), por ai u betua se nuk do të na marrë, duke thënë: “Nuk kam me se t'ju bart.” Mirëpo, pas pak, Pejgamberit ﷺ i erdhi një tufë devesh (nga plaçka e luftës) dhe tha: “Ku janë esharinjtë? Ku janë esharinjtë...?” Pastaj na dha pesë tufa devesh gungëbardha (të majme). Nuk shkuam shumë larg dhe u thashë shokëve të mi: “Pejgamberi ﷺ e harroi betimin! Betohem në Allahun se kurrë nuk do të shpëtojmë nëse ne jemi bërë shkaktarë që i Dërguari i Allahut ﷺ ta harrojë betimin.” Kështu, u kthyem te Pejgamberi ﷺ dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, ne të patëm kërkuar që të na bartësh edhe ne, ndërsa ti u betove se nuk do të na marrësh me vete, andaj menduam se e ke harruar betimin.” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë, me lejen e Allahut shoh se një zgjidhje tjetër është më e mirë, atëherë e veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.””