“Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ikrime se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një përkav ë kadifeje nga Fedeku, ndërsa Usamen e kishte ulur mbrapa tij dhe u nis për ta vizituar Sad ibn Ubaden, para Luftës së Bedrit. Vazhdoi kështu derisa kaloi pranë një ndeje, ku ndodhej edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli. Tërë kjo para se Abdullahu ta pranonte Islamin. Në ndejë kishte muslimanë, idhujtarë që adhuronin idhuj, si dhe hebrenj. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibn Revaha. Kur ndejën e mbuloi pluhuri i gomarit, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na çoni pluhur!” Pejgamberi ﷺ u dha selam, u ndal dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubeji tha: “Ore burrë, s'ka fjalë më të mira se këto që po i thua, po qe se do të ishin të vërteta. Andaj, mos na shqetëso me to në këto ndeja tonat! Hipi kafshës sate, e kushdo prej nesh që të vjen pas, rrëfeji këto tregime atij!” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, o i Dërguari i Allahut, na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë!” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i qetësonte derisa pushuan. Pastaj i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë ka thënë Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin. - Ai ka thënë kështu e kështu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, fale dhe mos ia vër re, sepse, përderisa Allahu të ka dhënë ty çfarë të ka dhënë, banorët e këtij vendi (të Medinës) kishin rënë në ujdi qysh më parë që (Abdullahun) ta kurorëzonin e t'i jepnin post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma. Kjo, pra, është arsyeja pse ka vepruar ashtu siç e ke parë.””