“Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa muslimanë u shpërngulën (nga Meka) në Abisini. Edhe Ebu Bekri u përgatit për hixhret, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos u ngut, sepse shpresoj se edhe mua do të më jepet leja (për hixhret) .” - Vërtet po shpreson, me babë kurban t'u bëfsha? - e pyeti Ebu Bekri. - “Po” , - i tha Pejgamberi ﷺ. Kështu, Ebu Bekri u ndal për ta shoqëruar Pejgamberin ﷺ dhe, katër muaj rresht, tuboi ushqim për dy deve të tij. Aishja vazhdon: “Një ditë, teksa ne ishim ulur në shtëpinë tonë në mesditë, dikush i tha Ebu Bekrit: “Ja, po vjen i Dërguari i Allahut ﷺ, me kokë të mbështjellë. Ai nuk e kishte zakon të vinte në këtë kohë.” Ebu Bekri tha: “Kurban iu bëfsha me babë e nënë! Betohem në Allahun se nuk ka ardhur në këtë kohë veçse për një gjë të rëndësishme.” Pejgamberi ﷺ erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë. Ebu Bekri i dha leje dhe ai, me të hyrë, i tha Ebu Bekrit: “Largoji njerëzit prej shtëpisë.” - Janë familja jote, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguari i Allahut! - tha Ebu Bekri. - “Më është lejuar të bëj hixhret” , - i tha Pejgamberi ﷺ. - A do të jem shoqërues, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguari i Allahut? - pyeti Ebu Bekri. - “Po” , - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. - Merr njërën prej këtyre dy deveve, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguari i Allahut! - tha Ebu Bekri. - “Vetëm me pagesë” , - ia ktheu Pejgamberi ﷺ. Aishja vazhdon: “Kështu, i përgatitëm mirë e mirë dhe ua bëmë gati ushqimin në një çantë. Esma, bija e Ebu Bekrit, ndau një pjesë të shokës dhe me të e lidhi grykën e çantës, gjë për të cilën është quajtur “Zonja e dy shokave”. Pastaj, Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri shkuan në një shpellë në kodrën Theur, ku qëndruan tri net. Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit, i cili ishte një djalosh i shkathët dhe i zgjuar, e kalonte natën me ta, e pastaj nga fundi i natës largohej prej aty dhe gdhinte me kurejshët në Mekë, sikur e kishte kaluar natën aty. Sa herë që dëgjonte diçka në lidhje me kurthet e planifikuara kundër atyre të dyve, e mbante në mend mirë dhe, posa binte nata, vente tek ata për t'ua kumtuar. Ndërkaq, Amir ibn Fuhejra, rob i liruar i Ebu Bekrit, kulloste një tufë delesh për ata dy, pastaj, me të kaluar një pjesë e natës, i çonte ato pranë tyre dhe kështu e kalonin natën duke pirë qumësht të freskët; ndërsa në agim, largohej prej aty. Kështu veproi tri net.””