“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejd ibn Hunejni se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një vit rresht doja ta pyesja Omerin rreth dy grave të cilat u bashkuan kundër Pejgamberit ﷺ, mirëpo kisha drojë prej tij. Kështu, një ditë Omeri u ndal në një vend dhe hyri te disa pemë, e, kur doli, e pyeta, e ai më tha: “Aishja dhe Hafsa.” Pastaj Omeri shtoi: “Në periudhën paraislame nuk i llogarisnim gratë gjë, e, kur erdhi Islami dhe Allahu i përmendi ato, ne e pamë se kishim hak ndaj tyre, por pa i futur në çështjet tona. Një ditë, bëra fjalë me gruan time, saqë ajo më foli ashpër, kështu që i thashë: “Si po ke guxim të më flasësh kështu?” Ajo më tha: “Ti po më thua kështu, ndërkohë bija jote e shqetëson Pejgamberin ﷺ!” Kështu, shkova te Hafsa e i thashë: “Unë po ta tërheq vërejtjen nga të bërët mëkat Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ.” Unë fillova me Hafsën në çështjen e shqetësimit, pastaj shkova tek Umu Seleme dhe ia përmenda çështjen, kurse ajo më tha: “Po çuditem me ty, o Omer, po hyn në çështjet tona e nuk të ka mbetur vetëm se të hysh mes Pejgamberit ﷺ dhe grave të tij”, gjë të cilën ia përsëriti. Omeri vazhdon: “Ka qenë një ensar të cilit, kur mungonte tek i Dërguari i Allahut ﷺ e unë isha i pranishëm, ia çoja lajmet, e, nëse unë mungoja tek i Dërguari i Allahut ﷺ e ai ishte i pranishëm, atëherë ai m'i sillte lajmet e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Të gjithë (udhëheqësit) përreth Pejgamberit ﷺ ishin në marrëveshje me të, përpos mbretit të Gasanit në Sham. Ne frikoheshim mos na sulmonte ai. Papritmas erdhi ensari dhe tha: “Ka ndodhur diçka!” Unë i thashë: “Çfarë ka ndodhur? Ka ardhur mbreti i Gasanit?” Ai tha: “Diçka më e madhe: i Dërguari i Allahut ﷺ i ka shkurorëzuar gratë e veta!” Atëherë unë shkova, kur ja, në të gjitha dhomat e tyre dëgjohej të qarët, ndërsa Pejgamberi ﷺ kishte hyrë në qilari n e tij dhe te porta e saj ishte një shërbëtor. Unë shkova dhe i thashë atij: “Kërko leje për mua të hyj!” Pasi më dha leje, hyra, kur ja, Pejgamberi ﷺ ishte i mbështetur në një hasër, e cila i kishte lënë gjurmë në trup, ndërsa nën kokë kishte një jastëk prej lëkure të mbushur me fije palme. Aty kishte lëkura të varura dhe karadh (gjethe për regjje). Ia përmenda Pejgamberit ﷺ atë që i pata thënë Hafsës dhe Umu Selemes, si dhe çfarë më kishte thënë mua Umu Seleme, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ qeshi. Ai qëndroi aty njëzet e nëntë net, pastaj doli.””