“Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Seid Makburi se Ubejd ibn Xhurejxhi i tha Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Të kam parë duke i bërë katër veprime që asnjërin prej shokëve të tu nuk e kam parë duke i bërë. - Cilat janë ato, o Ibn Xhurejxh? - i tha Ibn Omeri. Ubejd ibn Xhurejxhi tha: 1. “Kam vënë re se nuk prek asnjërin prej këndeve të Qabesë, përveç dy këndeve jemenase, 2. Mbath opinga prej lëkurës së lopës, 3. Lyen (flokët dhe mjekrën) me ngjyrë të verdhë dhe 4. Kam vënë re që, kur ke qenë në Mekë, teksa njerëzit hynin në ihram me të parë hënën e re, ti nuk hyje deri në ditën e tetë.” Abdullah ibn Omeri tha: “Sa u përket këndeve të Qabesë, nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ t'i prekë ato, me përjashtim të këtyre dy këndeve jemenase, kurse për opinga prej lëkurës së lopës, e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke mbathur opinga prej lëkurës pa qime dhe duke marrë abdes me to, andaj edhe mua më pëlqen t'i mbath. E përdor ngjyrën e verdhë sepse e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke përdorur këtë ngjyrë, andaj edhe mua më pëlqen ta bëj të njëjtën gjë. Ndërkaq, sa i përket hyrjes në ihram, nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ të hyjë në ihram, përveçse kur bëhej nisja për në haxh.””