“Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua i solli Pejgamberit ﷺ një pelerinë. Pastaj Sehli i pyeti njerëzit: “E dini ç'është pelerina?” - Po, petk i gjatë, - iu përgjigjën të pranishmit. Sehli thotë: “Është petk i qëndisur në skaje.” Gruaja në fjalë i tha Pejgamberit ﷺ: “Ta kam sjellë që ta veshësh.” Pejgamberi ﷺ e mori dhe, ngaqë kishte nevojë për të, e veshi. Kur një burrë nga sahabët e pa atë, i tha: - O i Dërguari i Allahut, sa e mirë që qenka! Mund të ma japësh? - “Po” , - i tha Pejgamberi ﷺ. Kur Pejgamberi ﷺ shkoi, shokët e tij e kritikuan dhe i thanë: “Nuk bëre mirë që ia kërkove, sepse ti e pe se Pejgamberi ﷺ e mori atë sepse kishte nevojë. Ia kërkove, edhe pse e dije që ai nuk refuzon askënd kur i kërkon diçka.” Ai tha: “Meqë Pejgamberi ﷺ e pati veshur atë, shpresova në bereqetin e saj dhe desha të më mbetet për qefin.””