“Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulala, e këtij i ka treguar Seid Xhurajriu, e ky nga Ebu Othmani se Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), tregon se Ebu Bekri priti një grup mysafirësh dhe më tha: “Kujdesu për mysafirët e tu, sepse unë po shkoj te Pejgamberi ﷺ. Bëju hyzmet para se unë të kthehem.” Abdurrahmani shkoi dhe u shërbeu çfarë kishte, pastaj u tha: “Ushqehuni!” Ata thanë: “Ku është i zoti i shtëpisë?” Ai u tha: “Ushqehuni! Por ata këmbëngulën duke thënë: “Nuk do të hamë derisa të vijë i zoti i shtëpisë.” Abdurrahmani u tha: “Pranojeni hyzmetin që po jua bëjmë, sepse, po qe se ai kthehet e ju s'keni ngrënë, do të na gjejë e zeza!” Ata refuzuan, andaj e dija se ai tashmë do të zemërohej me mua.” Kur erdhi ai, unë u fsheha në një qoshe. Ai pyeti: “Çfarë keni bërë?” Ata e njoftuan dhe ai filloi të thërrasë: “O Abdurrahman!” Unë heshta. Ai prapë thirri: “O Abdurrahman!” Unë heshta sërish. Pastaj tha: “O injorant! Të përbej që, nëse je duke ma dëgjuar zërin, të më shfaqesh këtu!” Kështu, unë dola dhe i thashë: “Pyeti mysafirët e tu!” Ata i thanë: “Të vërtetën po e thotë: ai na e ka sjellë ushqimin.” Ebu Bekri tha: “A mua më paskeni pritur?!” Betohem në Allahun se sonte unë nuk do të ha nga ky ushqim!” Disa thanë: “Betohemi në Allahun se as ne s'do të hamë derisa të hash me ne!” Ebu Bekri tha: “Kurrë s'ka qenë puna me keq se sonte. Vaj halli për ju, po cilët jeni ju? Pse nuk po e pranoni shërbimin tonë? Ma sill ushqimin!” Kur ia sollën, ai e zgjati dorën me bismilah dhe tha: “E para (betimi i mëhershëm se nuk do të ha) ishte prej shejtanit.” Pastaj hëngri, e edhe ata hëngrën.””