“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu. [t]: Ismaili na ka thënë: Na ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një përkavë Fedeku, së bashku me Usame ibn Zejdin, të cilin e kishte ulur mbrapa. Ai u nis për ta vizituar Sad ibn Ubaden në fisin e Harith ibn Hazrexhit, para Luftës së Bedrit. Gjatë rrugës vajti pranë një ndeje, ku gjendej edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, i cili ende nuk e kishte pranuar Islamin. Në ndejë gjendeshin disa muslimanë e idhujtarë të tjerë: adhurues idhujsh, hebrenj e muslimanë. Në mesin e muslimanëve gjendej edhe Abdullah ibn Revaha. Kur ndejën e mbuloi pluhuri i gomarit, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na pluhurosni!” Pejgamberi ﷺ u dha selam dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tha: “O burrë, nuk ka fjalë më të mira se këto që po i thua, vetëm sikur të ishin të vërteta. Andaj, mos na pengo në ndejat tona! Rrëfejua këto tregime atyre që të vijnë pas.” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, o i Dërguari i Allahut! Na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë.” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. I Dërguari i Allahut ﷺ përpiqej t'i qetësonte derisa pushuan. Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë ka thënë Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin. - Ai ka thënë kështu e ashtu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, me babë kurban t'u bëfsha! Fale dhe mos ia vër re, sepse betohem në Atë që ta ka zbritur Librin se Allahu na e ka sjellë të vërtetën nëpërmjet asaj që ta ka zbritur ty dhe këto dy fise të këtij vendbanimi kishin rënë në ujdi për ta kurorëzuar atë dhe për t'i dhënë post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma, prandaj veproi ashtu si e pe dhe vetë.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia fali. Ai dhe shokët e tij i falnin idhujtarët dhe ithtarët e Librit ashtu siç i kishte urdhëruar Allahu dhe i duronin ngacmimet e tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj e me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Allahut, me të vërtetë, ajo është vendosmëri (e madhe) në vepër.” (Ali Imran, 186) Dhe ka thënë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t'ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ta. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Bekare, 109) Pejgamberi ﷺ e kishte kuptuar këtë falje nga urdhri që Allahu ia kishte dhënë, (e me të vazhdoi) derisa Allahu ia lejoi luftimin e tyre. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ luftoi në Bedër dhe nëpërmjet tij Allahu i vrau krerët e jobesimtarëve dhe udhëheqësit kurejshë, Ibn Ubej ibn Seluli dhe idhujtarët e paganët që ishin me të thanë: “Po shihet nga do të shkojë kjo punë.” Kështu, iu besatuan të Dërguarit të Allahut ﷺ për Islam dhe e pranuan Islamin.””