“Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë hyri në xhami teksa i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte ulur në një skaj të xhamisë. Pasi u fal, erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam. I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Ve alejke selam (edhe mbi ty qoftë paqja) ! Kthehu dhe falu sërish, se nuk u fale.” Ai u kthye dhe u fal, pastaj erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam, e ai sërish i tha: - “Ve alejke selam (edhe mbi ty qoftë paqja) ! Kthehu dhe falu, se nuk u fale.” Herën e dytë ose të tretën ai tha: “Më mëso, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: - “Kur të ngrihesh për namaz, merr abdes mirë, pastaj kthehu nga kibla dhe merr tekbirin. Pastaj këndo prej Kuranit çka të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Pastaj ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.” E, në fund, Ebu Usame thotë (Pejgamberi ﷺ i tha): “... derisa të drejtohesh mirë në këmbë.””