“Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një përkav ë kadifeje nga Fedeku, së bashku me Usame ibn Zejdin, të cilin e kishte ulur mbrapa. Ishte nisur për ta vizituar Sad ibn Ubaden në fisin e Harith ibn Hazrexhit, para Luftës së Bedrit. Gjatë rrugës kaloi pranë një ndeje ku kishte muslimanë e idhujtarë, adhurues putash dhe hebrenj. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli dhe Abdullah ibn Revaha. Kur ndejën e mbuloi pluhuri i kafshës, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na pluhurosni!” Pejgamberi ﷺ u dha selam dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tha: “O burrë, nuk ka fjalë më të mira se këto që po i thua, vetëm sikur të ishin të vërteta. Andaj, mos na pengo në ndejat tona. Kthehu në shtëpinë tënde dhe rrëfejua këto tregime atyre që të vijnë pas.” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë.” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i qetësonte, pastaj i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë tha Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin. - Ai tha kështu e ashtu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, fale dhe mos ia vër re, sepse, betohem në Allahun, se Allahu na e solli të vërtetën nëpërmjet asaj që ta ka zbritur ty, ndërkaq këto dy fise të këtij vendi (të Medinës), më parë kishin rënë në ujdi që ta kurorëzonin atë e t'i jepnin post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma, prandaj ka vepruar ashtu siç e ke parë edhe vetë.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia fali.””