“Jusuf ibn Buhluli na ka thënë: Na ka treguar Ibn Idrisi, e këtij i ka treguar Husajn ibn Abdurrahmani, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahman Sulemiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi (në një punë): mua, Zubejr ibn Avamin dhe Ebu Merthed Ganeviun, sepse ishim kalorës, e në atë rast na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua idhujtare, e cila mban një letër të Hatib ibn Ebu Beltait dërguar idhujtarëve.” Kur e arritëm, ajo ishte hipur në deve, mu aty ku i Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi dhe i thamë: “Ku e ke letrën, që e ke me vete?” Ajo tha: “Nuk kam asnjë letër.” E ulëm devenë, e kontrolluam shalën, por nuk gjetëm asnjë letër. Dy shokët e mi thanë: “Nuk po shohim letër.” Unë thashë: “Unë e di se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk gënjen, prandaj betohem në Atë, në të Cilin duhet betuar, se ose do të na japësh letrën, ose do të të zhvesh (për të të kontrolluar).” Kur pa seriozitetin tim, ia mësyu shokës, që e kishte rreth saj, dhe e nxori letrën.” Kështu, ne shkuam me letër tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha Hatibit: “O Hatib, ç'të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi iu përgjigj: “Nuk është që nuk besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij ﷺ. Nuk kam ndryshuar e as kam zëvendësuar (besimin me mosbesim). Desha të kem dorë (pozitë) mbi fisin tim, që Allahu, nëpërmjet tyre, të ma mbrojë familjen dhe pasurinë. Ndërkohë, të gjithë shokët e tu atje kanë ndonjë familjar, nëpërmjet të cilëve Allahu ua mbron familjet dhe pasuritë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën. Të flisni vetëm mirë për të!” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, andaj më lejo t'ia pres kokën!” Pejgamberi ﷺ i tha: “O Omer, e çfarë di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse ju është siguruar Xheneti.” Atëherë, Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.””