“Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha duke ecur me Pejgamberin ﷺ nëpër pllajën e Medinës gjatë mbrëmjes, u kthyem nga Uhudi dhe tha: “Edhe sikur të më shndërrohej i tërë Uhudi në ar, asnjë dinar nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej më shumë se një ose tri net, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit, ose nëse e jap për robërit e Allahut, kështu, kështu e kështu”, - dhe bëri me duar. Pastaj më tha: “O Ebu Dherr.” - Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë. - “Ata që kanë shumë, në të vërtetë kanë pak, përveç atyre që japin kështu e kështu.” Pastaj më tha: - “Prit aty ku je, mos lëviz derisa të vij” , - dhe u largua tutje derisa nuk e pashë më. Ndërkohë, dëgjova një zë dhe pata frikë mos i ndodhi gjë të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj desha të shkoj, por m'u kujtua fjala e tij: “Mos lëviz!” Kështu, qëndrova aty derisa u kthye dhe i thashë: - O i Dërguari i Allahut, dëgjova një zë dhe u frikësova mos të ka ndodhur gjë, por, kur m'u kujtua fjala jote, nuk lëviza. - “Ai ishte Xhibrili ﷺ. Erdhi dhe më tha: “Kushdo që vdes prej umetit tënd pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet.” - Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh? - e pyeta. - “Po, edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh” , - u përgjigj Pejgamberi ﷺ. Ameshi ka thënë: “I thashë Zejdit: “Sipas asaj që më është thënë mua, ky është Ebu Derdai!” Ai më tha: “Dëshmoj se këtë ma ka treguar Ebu Dherri në Rabdhe.” Ameshi tha: “Porse mua ma ka treguar Ebu Salihu nga Ebu Derdai ngjashëm.” Ndërkaq, Ebu Shihabi, duke transmetuar nga Ameshi, thotë (se Pejgamberi ﷺ ka thënë): ”... të më mbetej më shumë se tri net.””