“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ameshi, e ky nga Umare ibn Umejri se Harith ibn Suvejdi tregon: “Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) na i ka treguar dy hadithe: njërin nga Pejgamberi ﷺ, kurse tjetrin prej vetes.” Ai thoshte: “Besimtari i sheh mëkatet e veta sikurse të ishte ulur nën një kodër, duke u frikësuar se do t'i bjerë sipër, kurse mëkatari i sheh mëkatet e veta sikurse një mizë që i kalon nga hunda e ai ia bën me dorë kështu”, - Ebu Shihabi thotë: “Bëri me dorë mbi hundë (për ta larguar).” Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu gëzohet me pendimin e robit të Vet më shumë se një njeri i cili ndalet pranë një vendi të rrezikshëm me kafshën e tij që ia bart ushqimin e pijen dhe vë kokën diku për të fjetur. Kur zgjohet, sheh se kafsha i ka ikur. Kjo gjendje vazhdon derisa ta kaplojë vapa dhe etja, ose (qëndron) për aq sa do Allahu, pastaj thotë: “Po kthehem te vendi im.” Kështu, kthehet e prapë bën një sy gjumë dhe, kur e ngre kokën, e gjen kafshën e tij pranë.” Transmetimin e Ebu Shihabit e fuqizon Ebu Avane dhe Xheriri nga Ameshi. Ebu Usame ka thënë: “Na ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Umare, e ky e ka dëgjuar Harith ibn Suvejdin. Shuëbe dhe Ebu Muslimi kanë transmetuar nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi. Ebu Muaviu ka thënë: “Na ka treguar Ameshi nga Umare, e ky nga Esvedi, e ky nga Abdullahu dhe Ibrahim Tejmiu, e këta nga Harith ibn Suvejdi, e ky nga Abdullahu.””