“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Amir ibn Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “ I Dërguari i Allahut ﷺ më vizitoi në vitin e Haxhit të Lamtumirës për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më kishte sjellë në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë: - O i Dërguari i Allahut, siç po e sheh, më ka goditur një sëmundje e rëndë, andaj, meqë kam shumë pasuri, ndërkohë për trashëgimtare kam vetëm një vajzë, a t'i jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime? - “Jo”, - tha ai. - Atëherë gjysmën? - e pyeta. - “Edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ. - A do të ngel unë (në Mekë) prapa shokëve të mi (të cilët do të kthehen në Medinë)? - i thashë. - “Edhe po qe se do të ngelesh prapa, çdo vepër të mirë të cilën do ta punosh, duke kërkuar me të shpërblimin e Allahut, do të të llogaritet shtim në gradë dhe lartësim. Mbase ti do të jetosh aq gjatë sa një pjesë e njerëzve do të përfitojë prej teje, ndërsa një pjesë tjetër (armiqtë) do të dëmtohet prej teje. O Allah! Plotësojua hixhretin shokëve të mi e mos i kthe mbrapa (nga ku kanë bërë hixhret) ! Sa i pafat qe Sad ibn Havle!” - tha Pejgamberi ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ e qante Sad ibn Havlen ngaqë pati vdekur në Mekë (atyre nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin bërë hixhret ).””