“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seidi dhe Ata ibn Jezidi, e këtyre u ka rrëfyer Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ... [t]: Mahmudi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz pyetën: - O i Dërguari i Allahut, a do ta shohim Zotin tonë Ditën e Kiametit? - “A keni vështirësi për ta parë Diellin kur nuk ka re?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ. - Jo, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigjën ata. - “Po Hënën kur është e plotë, a keni vështirësi për ta parë kur nuk ka re?” - pyeti sërish Pejgamberi ﷺ. - Jo, o i Dërguari i Allahut, - i thanë. Pastaj Pejgamberi ﷺ u tha: “Në këtë mënyrë do ta shihni Atë, në Ditën e Kiametit. Allahu i tubon njerëzit dhe u thotë: “Secili le t'i shkojë pas atij që e ka adhuruar!” Kështu, ata që e adhuronin Diellin, shkojnë pas tij; ata që e adhuronin Hënën, shkojnë pas saj; ata që i adhuronin idhujt, shkojnë pas tyre. Në fund, mbetet vetëm ky umet, në mesin e tyre edhe hipokritët. Atëherë Allahu do të paraqitet me një pamje që ata nuk e njohin dhe do t'u thotë: - Unë jam Zoti juaj. - Kërkojmë mbrojtjen e Allahut kundrejt teje! Do të qëndrojmë këtu derisa të vijë Zoti ynë, e, kur të vijë Zoti ynë, ne do ta njohim, - thonë ata. Atëherë Allahu do t'u vejë me një pamje që ata e njohin dhe do t'u thotë: - Unë jam Zoti juaj. - Ti je Zoti ynë, - thonë ata dhe e pasojnë Atë. Atëherë vendoset ura përmbi Xhehenem. Unë do të jem i pari që do ta përshkoj. Atë ditë, lutja e pejgamberëve do të jetë: “O Allah, na shpëto! Na shpëto!” Në Xhehenem ka çengela sikurse gjembat e sadanit . A keni parë ndonjëherë gjemba të sadanit?” - Po, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigjën të pranishmit. Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Do të jenë në formë të gjembave të sadanit, por madhësinë e tyre nuk e di askush përveç Allahut ﷻ. Do t'i rrëmbejnë njerëzit në bazë të veprave të tyre: disa do të shkatërrohen për shkak të veprave, disa do të copëtohen (gjatë ecjes në Sirat) e pastaj shpëtojnë. E, kur Allahu të përfundojë gjykimin e robërve të Tij dhe dëshiron të nxjerrë prej Zjarrit kë të dojë prej atyre që kanë dëshmuar fjalën “la ilahe il-lallah”, i urdhëron melekët t'i nxjerrin (nga Zjarri) . Ata do të njihen nga gjurmët e sexhdeve, sepse Allahu ia ka ndaluar Zjarrit t'i djegë gjurmët e sexhdeve të birit të Ademit. Do të dalin prej Zjarrit të shkrumbuar. Pastaj do t'u shtihet një ujë që quhet Uji i Jetës, e do të mbijnë 1 siç mbin fara 2 në mbetjet e vërshimit. Në fund do të mbetet vetëm një njeri me fytyrë nga Zjarri, i cili do të thotë: - O Zot, po më helmon era dhe po më përcëllon nxehtësia e tij, ma largo fytyrën time prej Zjarrit! Kështu, ai vazhdon ta lusë Allahun, derisa Allahu t'i thotë: - Sikur të ta plotësoja këtë , a do të kërkoje diçka tjetër? - Jo, betohem në madhërinë Tënde! Nuk do të kërkoj gjë tjetër, - thotë ai. Atëherë Allahu ia largon fytyrën prej Zjarrit. Pastaj thotë: - O Zot! Më afro te dera e Xhenetit! - A nuk premtove që nuk do të kërkosh më shumë? Mjerë ti, o biri i Ademit, sa shumë që e thyen betimin! - i thotë Allahu ﷻ. Ai prapë vazhdon të lutet, ndërsa Allahu i thotë: - Nëse të plotësohet (edhe) kjo, do të kërkosh diçka tjetër? - Jo, betohem në madhërinë Tënde, nuk do të kërkoj asgjë tjetër! - i betohet dhe i besatohet Allahut sa të dojë Ai, se nuk do të kërkojë diçka tjetër. Pastaj e afron te dera e Xhenetit dhe, kur sheh çfarë ka në të, hesht aq sa të dojë Allahu, pastaj thotë: - O Zot! Më fut në Xhenet! - A nuk më premtove që nuk do të kërkosh diçka tjetër?! Mjerë ti, o biri i Ademit, sa shumë që e thyen betimin! - i thotë Allahu ﷻ. - O Zot! Mos më lër robin më të mjerë, - i drejtohet ai. Vazhdon të lutet derisa Allahu ﷻ të qeshë me të dhe pastaj i lejohet të hyjë në Xhenet. Me të hyrë brenda, i thuhet: “ Kërko ç'të duash!” Ai kërkon e kërkon, pastaj sërish i thuhet: “Kërko ç'të duash!” Ai kërkon e kërkon, derisa t'i shterojë imagjinata, pastaj Allahu ﷻ i thotë: “E gjithë kjo dhe një herë aq të takon ty.” Ebu Hurejra shton: “Ky është personi i fundit që do të hyjë në Xhenet.””