“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim Tejmiu se Zehdem ibn Harithe tregon: “Mes kësaj lagjeje të Xheremit dhe esharinjve mbretëronte dashuri dhe vëllazëri. Kështu, njëherë, ishim tek Ebu Musa Eshariu, të cilit i sollën ushqim me mish pule. I ftuar për ushqim ishte edhe një burrë i racës së kuqe 1 , nga fisi benu tejmullah, i cili dukej të ishte shërbëtor.” Ai tha: “Unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.” Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj për këtë: “Patëm shkuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ me ca pjesëtarë të fisit eshari, për t'i kërkuar kafshë për bartje, por ai na pati thënë: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju jap, por as kam me se t'ju bart.” Më vonë, Pejgamberit ﷺ i arriti një plaçkë e luftës që përmbante edhe një tufë devesh, andaj pyeti për ne: “Ku janë ai grupi i esharinjve?” Pastaj, urdhëroi të na jepen pesë deve gungëbardha (të majme). Kur u nisëm, thamë: “Çfarë bëmë! I Dërguari i Allahut ﷺ u betua se nuk do të na bartte dhe se nuk posedonte gjë për bartje, megjithatë na dha kafshë për bartje. Ndërkohë, ne harruam betimin e tij. Për Allahun, nuk do të shpëtojmë kurrë!” Andaj, u kthyem dhe i thamë: “Kur erdhëm, ti u betove se nuk do të na marrësh me vete dhe se nuk kishe me se të na bartje.” Pejgamberi ﷺ ua ktheu: “Nuk ju mora unë, por Allahu ju mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, atëherë veproj atë që është më e mira dhe lirohem nga betimi.””