“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Malik ibn Evsi tregon: “Shkova tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe, duke qenë me të, portieri i tij, Jerfai, erdhi dhe e pyeti: “I lejon Othmanin, Abdurrahmanin, Zubejrin dhe Sadin të hyjnë brenda?” Omeri pohoi dhe ai i lejoi të hyjnë. Pas pak, Jerfai e pyeti sërish: “E lejon Aliun dhe Abasin të hyjnë?” Omeri pohoi. Kur hyri, Abasi tha: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes meje dhe këtij!” Omeri iu drejtua të pranishmëve: “Po ju bëj be në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka” , ka pasur për qëllim veten e tij?!” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë. “Atëherë u kthye nga Aliu dhe Abasi e u tha: “Po ju, a e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu?” Ata u përgjigjën: “Ashtu ka thënë.” Pastaj Omeri vazhdoi: “Pra, unë do t'ju tregoj për këtë çështje: Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Tij ﷺ me një pjesë të kësaj plaçke, të cilën s'ia ka dhënë askujt tjetër, përveç tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) prej tyre, është prej mirësisë së Tij. Ju nuk hipët mbi kuaj e as mbi deve për ta fituar atë, por Allahu u jep pushtet të dërguarve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Betohem në Allahun se ai nuk ka marrë asgjë nga hisja juaj e as e ka mbajtur atë vetëm për vete. Ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, kurse pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. I Dërguari i Allahut ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Të pranishmit u përgjigjën duke pohuar. Pastaj u kthye dhe i tha Aliut e Abasit: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Ata u përgjigjën: “Po.” Omeri vazhdoi: “E, kur Allahu ia mori shpirtin Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekri tha: “Unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj e mori atë pasuri dhe veproi me të ashtu siç pati vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. Pastaj, kur Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, unë thashë: “Tani unë jam pasuesi i pasuesit të të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Kështu, e mora atë pasuri dhe, për dy vjetët e hilafetit tim, punova me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri. Pastaj, më erdhët ju të dy, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Më erdhe (o Abas) që të kërkosh hisen tënde nga djali i vëllait tënd (Muhamedi ﷺ), ndërsa ky (Aliu) më erdhi që të kërkojë hisen e gruas së tij nga babai i saj (Muhamedi ﷺ), andaj ju pata thënë: “Nëse dëshironi, po jua jap, por me të njëjtin kusht (të veproni me të siç kemi vepruar ne). E, nëse po kërkoni nga unë të gjykoj ndryshe nga kjo, betohem në Allahun, me lejen e të Cilit qëndrojnë Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe deri në Kiamet. Nëse nuk arrini t'i bëni ballë këtij kushti, atëherë kthemani mua, unë do t'i bëj ballë.””