“Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Amir ibn Sad ibn Ebu Vekasi se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitoi në Mekë, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më solli në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë: - O i Dërguari i Allahut, unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë, a t'i jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime? - “Jo”, - tha ai. - Gjysmën? - e pyeta. - “Jo.” - Një të tretën? - “Edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas hixhretit tim (e nuk do të kthehem në Medinë)? - i thashë. - “Nuk ndodh të jetosh më gjatë, të punosh vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin e Allahut e të të mos shtohet (për të) një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh pas meje, aq sa dikush (nga miqtë) do të përfitojë nga ti, e dikush (nga armiqtë) do të dëmtohet prej teje. Sa i pafat që është Sad ibn Havle!” - tha Pejgamberi ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ e qante Sad ibn Havlen, ngaqë pati vdekur në Mekë (atyre nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin bërë hixhret ). Sufjani ka thënë: “Sad ibn Havle ishte një burrë nga fisi i Amër ibn Luejit.””