“Musa ibn Ismaili na ka transmetuar nga Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup njerëzish nga fisi ukël, vajtën te Pejgamberi ﷺ dhe, pasi qëndruan një kohë në sufe, atyre nuk iu përshtat klima e Medinës, andaj thanë: “O i Dërguari i Allahut, na gjej qumësht të mjaftueshëm!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Nuk di zgjidhje tjetër, përveçse të shkoni te devetë e të Dërguarit të Allahut.” Ata shkuan dhe pinë nga urina dhe qumështi i tyre, derisa u shëruan dhe shtuan peshë. Pastaj, e vranë bariun dhe i grahën kopesë (së deveve). Kur i erdhi lajmëtari Pejgamberit ﷺ, dërgoi njerëz për t'i kërkuar. Kështu, nuk kaloi kohë e gjatë nga ajo ditë dhe ia sollën. Pejgamberi ﷺ dha urdhër të merren disa gozhda, të skuqen dhe me to t'u damkosen sytë, pastaj ua preu duart e këmbët dhe nuk ua kuroi, por i hodhi në shkretëtirë, që të eteshin e të mos u jepej ujë, derisa vdiqën. Ebu Kilabe thotë: “Këta vodhën e vranë dhe e luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.””