“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në prani të Pejgamberit ﷺ u përmend mallkimi reciprok mes bashkëshortëve, e në atë rast Asim ibn Adiu tha diçka në lidhje me këtë dhe shkoi. Ndërkohë, një pjesëtar i fisit të Asimit shkoi dhe iu ankua se kishte gjetur një burrë me gruan e tij. Atëherë, Asimi tha: “U sprovova me këtë për shkak të fjalëve që thashë.” Kështu, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi për burrin që kishte gjetur dikë me gruan e tij. Burri në fjalë ishte i verdhë, i dobët e me flokë të drejtë, kurse ai që akuzohej për zina me gruan e tij ishte zeshkan, këmbëtrashë dhe i shëndoshë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, qartësoje!” Kështu, ajo lindi një fëmijë që i ngjante të akuzuarit, prandaj Pejgamberi ﷺ zbatoi mallkimin reciprok mes tyre (lianin). Një burrë i pranishëm i tha Ibn Abasit: “A ka qenë kjo grua për të cilën Pejgamberi ﷺ pati thënë: “Sikur të gurëzoja dikë pa prova, do ta gurëzoja këtë.” ? - Jo. Ajo ka qenë një grua që e shfaqte shthurjen në Islam, - tha Ibn Abasi.””