“Ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, një djalosh u vra fshehurazi, e në atë rast Omeri tha: “Sikur të kishin marrë pjesë tërë banorët e Sanasë (në vrasjen e tij), do t'i ekzekutoja të gjithë!” Mugire, i biri i Hakimit, transmeton se babai i tij ka thënë: “Katër persona kishin vrarë një fëmijë, e në atë rast Omeri ka thënë...” njëjtë sikurse fjalët e mësipërme. Ebu Bekri, Ibn Zubejri, Aliu dhe Suvejd ibn Mukarrini kanë gjykuar me hakmarrje edhe për një shuplakë. Omeri ka gjykuar me hakmarrje për goditjen me shkop. Aliu ka gjykuar me hakmarrje në rast të tri goditjeve me shkop. Shurejhu ka marrë hak për goditje me kamxhik dhe gërvishtje.””