“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ndante një pasuri, erdhi Abdullah ibn Dhul Huvejsira Temimi dhe tha: “Ji i drejtë, o i Dërguari i Allahut!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! E kush do të jetë i drejtë, nëse nuk jam unë?!” Omer ibn Hatabi tha: “Më jep leje t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Lëre, se ky ka ca pasues që ju e nënvlerësoni namazin tuaj kundrejt namazit të tyre dhe agjërimin tuaj kundrejt agjërimit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut: kur shikohen puplat e shigjetës, nuk vërehet asgjë, kur i shikohet maja, sërish nuk vërehet asgjë, kur i shikohet fundi, sërish nuk vërehet asgjë, shikohet dhëmbëzi i saj, nuk ka asnjë shenjë. Pra, as gjurmë zorrësh, as gjak. Shenja e tyre është një burrë, të cilit, njëra dorë, - ose ka thënë: gjoksi i tij, - i duket sikurse gjinjtë e femrës, ose sikurse një copë mishi që lëkundet andej-këndej dhe paraqiten atëherë kur njerëzit përçahen mes vete.” Ebu Seidi ka thënë: “Dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ dhe dëshmoj se kam qenë me Aliun kur i ka luftuar ata. Në atë kohë sollën një burrë që dukej ashtu siç e pati përshkruar Pejgamberi ﷺ.” Në lidhje me të (Abdullah ibn Dhul Huvejsirën) ka zbritur ajeti: “ Ka edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. ” (Teube, 58)”