“Ebu Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mehrame dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ende gjallë dhe i kushtova vëmendje leximit të tij. Kuptova se ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. E prita derisa dha selam, pastaj e shtrëngova (për fyti) me rrobën e sipërme të tij ose timen dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar këtë sure?” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, për Allahun, i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar mua këtë sure (ndryshe nga ajo që e lexove ti), të cilën të dëgjova duke e lexuar.” Kështu, e mora me vete dhe u nisëm për tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “O i Dërguari i Allahut, e dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar, ndërkaq ti vetë më ke lexuar suren Furkan.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Lëshoje, o Omer! Lexo, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e dëgjova më parë. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj tha: “Lexo, o Omer!” Unë lexova. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Kështu ka zbritur. Në të vërtetë, ky Kuran ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni atë në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!””