“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë...” (Nisa, 3) Aishja ka thënë: “Fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërkohë atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, kështu që dëshiron të martohet me të, me më pak mehër se gratë e tjera. Andaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës.” Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje) dhe Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'u sqarosh lidhur me çështjet e grave.” (Nisa, 127) Në vijim solli hadithin në fjalë.”