“Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin mjalti dhe ëmbëlsirat. Pasi e falte namazin e ikindisë, shkonte te gratë e tij dhe kishte raste kur ndonjërës i afrohej. Një ditë, shkoi te Hafsa bint Omeri dhe qëndroi më shumë se zakonisht. Unë xhelozova dhe, kur pyeta rreth kësaj, dikush më tha: “Një familjare e saj i ka dhuruar një enë mjaltë dhe Hafsa i ka dhënë Pejgamberit ﷺ për të ngrënë. Si pasojë, thashë: “Për Allahun, do t'i bëjmë një hile.” Kështu, ia përmenda edhe Sevdës dhe i thashë: “Ai do të vijë te ti dhe, kur të të afrohet, thuaji: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?” Ai do të të thotë "jo”, andaj thuaji: “Ç'është kjo erë?” Të Dërguarit të Allahut ﷺ i vinte rëndë t'i vinte erë e keqe. Ai do të të thotë: “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” Ti thuaji: “Bletët, pra, paskan kullotur megafir.” Unë kam për t'i thënë ashtu, e njëjtë thuaji edhe ti, oj Safije.” Kur Pejgamberi ﷺ hyri te Sevda, ajo tregon: “Betohem në Atë, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë se, sapo erdhi te dera, veprova siç më the ti, se ta kisha frikën. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ m'u afrua, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?” - “Jo”, - tha ai. - Ç'është kjo erë? - e pyeta. - “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” - Bletët paskan kullotur megafir, pra, - i thashë. Aishja vazhdon: “Kur erdhi tek unë, edhe unë ia thashë të njëjtat fjalë. Pastaj shkoi te Safija, e edhe ajo ia tha të njëjtat fjalë. Si pasojë, kur shkoi herën tjetër te Hafsa dhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, të të ofroj mjaltë?” - “Nuk më duhet”, - i tha ai. Sevda më pati thënë: “Subhanallah, e lamë pa mjaltë!” I thashë: “Hesht, moj!””