“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi; [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fillimisht, të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të vërteta në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj, shkonte në shpellën Hira, ku bënte adhurim me net të tëra, gjë për të cilën furnizohej që më parë. Pastaj kthehej te Hadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi, derisa i erdhi e vërteta, ndërkohë që ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!” - “Nuk di të lexoj”, - ia ktheu ai. Pejgamberi ﷺ rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi, saqë mezi merrja frymë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Sërish më kapi dhe më shtrëngoi, saqë pothuajse m'u ndërpre frymëmarrja, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Më kapi për së treti e më shtrëngoi dhe, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo se Zoti yt është më Bujari. Është Ai që ia mësoi njeriut pendën (të shkruajë), dhe që ia mësoi atë që nuk e diti.” (Alak, 1-5) Duke u dridhur i tëri, u kthye me këto ajete dhe hyri te Hadixhja e i tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” Sakaq, ajo e mbuloi derisa iu largua frika. Pastaj, tha: “Oj Hadixhe, çfarë kam?” - duke e njoftuar me ndodhinë. Pastaj vazhdoi: “U frikësova për veten time!” Hadixhja i tha: “Assesi! Përgëzohu, sepse betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, e thua të vërtetën, u ndihmon të dobëtëve, i nderon dhe ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi.” Pas kësaj, Hadixhja e shoqëroi për te Veraka ibn Neufel ibn Esed ibn Abduluza ibn Kusaji, djali i axhës së saj nga babai, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame dhe njihte mirë shkrimin e arabishtes. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në arabisht, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër. Hadixhja i tha: - O kushëri, dëgjoje nipin tënd. - Fol, o nip, çfarë ke parë? - i tha Veraka Pejgamberit ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me të dëgjuar këtë, i tha: “Atë që ke parë është meleku që i kishte ardhur Musait ﷺ.” Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: - “Vërtet do të më dëbojnë?!” - Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi, - ia ktheu Veraka. Por, nuk kaloi shumë kohë e Veraka vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë, saqë Pejgamberi ﷺ nisi të pikëllohej. Buhariu (duke transmetuar nga Zuhriu) shton: “Kemi dëgjuar se Pejgamberi ﷺ aq shumë është pikëlluar, saqë është hamendur disa herë që të kërcejë nga majat e maleve, porse, sa herë që hipte në majën e ndonjë mali për ta hedhur veten nga aty, i paraqitej Xhibrili dhe i thoshte: “O Muhamed! Ti je vërtet i Dërguari i Allahut.” E, pas kësaj, i largohej pikëllimi nga zemra, qetësohej dhe kthehej. Pastaj, kur koha e zbritjes së shpalljes vonohej, ai prapë vepronte njëjtë, por Xhibrili i shfaqej sërish dhe ia thoshte të njëjtat fjalë. 1 "”