“Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Harixhe ibn Zejd ibn Thabiti se Umu Alai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), një ensare që ia kishte dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ, tregon: “Kur (muhaxhirët erdhën nga Meka) u shpërndanë me short, e neve na ra Othman ibn Medhuni. Pasi e vendosëm në një prej shtëpive tona, u sëmur dhe vdiq. Kështu, e pastruam dhe e qefinosëm me rrobat e tij. Kur erdhi Pejgamberi ﷺ, unë thashë: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Saib! Dëshmoj se Allahu të ka nderuar.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: - “E si e ditke ti se Allahu e ka nderuar atë?” - T'u bëfsha kurban me babë, o i Dërguari i Allahut, kë e nderon Allahu, pra? - pyeta. - “Sa i përket këtij, betohem në Allahun se i ka ardhur e qarta (vdekja) . Betohem në Allahun se unë shpresoj për të mirësinë! Betohem në Allahun se nuk e di as çfarë do të bëhet me mua, ndonëse jam i Dërguari i Allahut” , - tha ai. - Betohem në Allahun se kurrë nuk do të lavdëroj dikë pas tij (Othmanit), - thashë.””