“Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ez'heri, e ky nga Ibn Avniu; [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi, e këtij i ka treguar Kajs ibn Ubadi se Abdullah ibn Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pashë në ëndërr sikur isha në një kopsht, në mesin e të cilit ishte një shtyllë, ndërsa në majë të shtyllës ishte një nyjë. Më thanë: “Ngjitu!” Thashë: “Nuk mundem.” Atëherë erdhi një shërbëtor, i cili e ngriti rrobën time, ndërsa unë u ngjita derisa arrita të kapesha për nyjën. Vazhdova të qëndroja i kapur për të, derisa u zgjova. Këtë ia rrëfeva Pejgamberit ﷺ, i cili më tha: “Ai kopsht është kopshti i Islamit, ajo shtyllë (e përmendur) është shtylla e Islamit, ndërsa ajo nyjë është lidhja e fortë (Islami) . Ti do të vazhdosh të mbahesh fort për Islamin deri në vdekje.””