“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Ibn Sirini, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete, e ky nga Ebu Bekrete dhe një person tjetër, i cili në vetvete është më i mirë se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete, se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi dhe tha: - “Vallë, e dini çfarë dite është sot?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - thanë të pranishmit. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është dita e Bajramit?” - Po, ashtu është, o i Dërguari i Allahut! - “Cili qytet është ky? A nuk është qyteti i shenjtë?” - Po, ashtu është, o i Dërguari i Allahut! - “Dijeni mirë se gjaqet, pasuria, nderi dhe lëkurat tuaja janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend. A e kumtova, vallë?” - Po, - iu përgjigjën. - “Zoti im, ji Dëshmitar! Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, se ndoshta ai të cilit do t'i kumtohet e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.” (Muhamed ibn Sirini shton:) “Me të vërtetë, ashtu ka ndodhur.” Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Pas meje (pas vdekjes sime) mos u ktheni në kufër e të vrisni njëri-tjetrin.” Ditën kur Xharije ibn Kudame e dogji Ibn Hadremiun, pati thënë: “Gjejeni Ebu Bekreten.” - Ja ku është Ebu Bekrete, po të sheh, - i thanë. Abdurrahmani ka thënë: “Nëna ime më ka treguar se Ebu Bekrete ka thënë: “Sikur të vinin tek unë, nuk do t'i luftoja, qoftë dhe për një shtizë.””