“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa luftuar mes vete dy grupe të mëdha, mes të cilëve do të zhvillohet një betejë e madhe, ndonëse të dyja thërrasin në të njëjtën gjë; si dhe pa u paraqitur përafërsisht tridhjetë dexhallë gënjeshtarë, ku secili do të pretendojë se është i dërguar i Allahut; pa ardhur koha kur largohet dituria, shpeshtohen tërmetet, shkurtohet koha, shfaqen fitnet, shpeshtohet herxhi, - që nënkupton vrasjet e shumta, - dhe shtohet pasuria në mesin tuaj dhe tepron, saqë i pasuri do të brengoset se kush do t'ia pranojë lëmoshën: kur t'ia ofrojë ndokujt, ai i përgjigjet: “Nuk kam nevojë për të.” Kiameti s'do të ndodhë pa ardhur koha kur njerëzit do të bëjnë gara me ndërtesa dhe kur njeriu të kalojë pranë varrit të tjetrit e të thotë: “Ah, sikur të isha në vendin e tij!” Kiameti s'do të ndodhë pa lindur dielli nga perëndimi, e në atë rast, kur njerëzit e shohin, të gjithë besojnë, por kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij ...” (Enam, 158) Kur të ndodhë Kiameti, dy persona që ia kanë shpalosur rrobat njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin e as t'i palosin. Kur të ndodhë Kiameti, personi që ka mjelë devenë, nuk do të arrijë ta pijë qumështin e saj. Kur të ndodhë Kiameti, personi që ka rregulluar pusin, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kur të ndodhë Kiameti, personi që ka ngritur kafshatën te goja, nuk do të arrijë ta hajë.””