“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky e ka dëgjuar Urve se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Pejgamberi ﷺ angazhoi një person nga fisi benu esed, që quhej Ibn Utebije, për të mbledhur zekatin. Pasi mbaroi punën, ai u kthye dhe tha: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua. Pejgamberi ﷺ u ngrit drejt minberit, - ndërsa transmetuesi thotë: “Hipi në minber, - e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ç'është puna e një punëtori që ne e angazhojmë, ndërsa ai vjen dhe na thotë: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua?!” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet e të shohë nëse po i dhurohet diçka apo jo?! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai që merr diçka nga zekati (padrejtësisht) , Ditën e Gjykimit do të vijë duke e bartur atë gjë në qafën e vet: nëse është deve, do ta bartë teksa ajo bulurin, nëse është lopë, do ta bartë teksa ajo pëllet, e, nëse është dele, do ta bartë teksa ajo blegëron.” Pastaj i ngriti duart, saqë ia pamë bardhësinë e sqetullave (dhe tha) tri herë: “ (O Allah!) A ua kumtova?” Sufjani ka thënë: “Këtë na e ka treguar Zuhriu, kurse Hishami, duke transmetuar nga babai i tij, e ky nga Ebu Humejdi, shton se ka thënë: “Këtë e kanë dëgjuar veshët e mi dhe e kanë parë sytë e mi, e bashkë me mua këtë hadith e ka dëgjuar edhe Zejd ibn Thabiti, andaj pyeteni edhe atë (nëse doni)!” Vetëm Zuhriu nuk ka thënë: “E kanë dëgjuar veshët e mi.””