“Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Maliku, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Humejd ibn Abdurrahmani se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa grupi i përzgjedhur nga Omeri ishin mbledhur për të diskutuar, Abdurrahmani u tha: “Unë nuk ju përzihem në këtë çështje, por, nëse dëshironi, unë mund të zgjedh njërin prej jush!” Kështu, ata ia lanë këtë punë Abdurrahmanit. Pasi e ngarkuan me këtë përgjegjësi, njerëzit anuan nga Abdurrahmani, që të gjithë, saqë asnjëri prej tyre nuk e pasonte më grupin e mëhershëm e as ecnin pas tyre. Këto net, njerëzit i ishin lëshuar Abdurrahmanit për të diskutuar me të, derisa erdhi nata në mëngjesin e së cilës ia patëm dhënë besën Othmanit.” Misveri thotë: “(Po atë natë) pasi kaloi një pjesë e natës, Abdurrahmani më trokiti në derë derisa u zgjova. Tha: “Më duket se paske qenë fjetur. Të betohem në Allahun se këto net pak gjumë kam futur në sy. Shko thirre Zubejrin dhe Sadin.” Ia thirra që të dy dhe diskutoi me ta, pastaj më thirri prapë dhe më tha:" Ma thirr Aliun!” Ia thirra dhe e konsultoi deri nga gjysma e natës. Aliu më pas u ngrit për të shkuar, e në vete mbante shpresë (se do ta zgjidhte atë), porse Abdurrahmani i druhej Aliut për diçka.” Tha: “Ma thirrni Othmanin!” Ia thirra dhe e konsultoi atë derisa muezini i ndërpreu me thirrjen e ezanit të sabahut. Kur ua fali njerëzve namazin e sabahut dhe grupi i tyre u mblodhën te minberi, ai urdhëroi t'ia thërrisnin gjithë muhaxhirët dhe ensarët që ishin të pranishëm, pastaj t'ia thërrisnin prijësit e ushtrive, - të cilët sapo kishin mbaruar haxhin me Omerin. Pasi u mblodhën të gjithë, Abdurrahmani filloi ligjërimin me dy dëshmitë dhe tha: “E, më pas. O Ali! Vëzhgova situatën e përgjithshme të njerëzve dhe pashë se ata nuk barazojnë askënd me Othmanin, andaj mos i jep vetes të drejtë që të më kundërshtosh në këtë.” Pastaj i tha (Othmanit): “Të jap besën për Sunetin e Allahut e të Dërguarit të Tij ﷺ dhe të dy prijësve pas tij.” Pasi Abdurrahmani ia dha besën e ia dhanë edhe njerëzit e tjerë: muhaxhirët, ensarët, prijësit e ushtrive dhe muslimanët në përgjithësi.””